“Illyria” - zëri i vërtetë dhe i pavarur i lajmeve dhe informacioneve

Harry Bajraktari Themelues dhe
ish botues
i gazetës
1991 - 1998
Ekrem Badha
Ish botues
i gazetës
1998 - 2006
Vehbi Bajrami
Botues i gazetës

“Illyria” është e vetmja gazetë shqiptaro-amerikane dy gjuhëshe, e pavarur, shqip dhe anglisht, që ka fituar statusin e të qenurit zëri i përbashkët i të gjithë shqiptarëve të Amerikës.

“Illyria” u themelua në New York nga aktivisti dhe biznesmeni Harry Bajraktari. Numri i parë doli më 21 qershor 1991. Pas 7 vitesh, më 1998 gazeta kaloi në pronësi të aktivistit dhe biznesmenit, Ekrem Bardha, ndërsa që nga shtatori 2006, ajo ka kaluar nën drejtimin e Vehbi Bajramit, ish kryeredaktor i “Illyria”-s dhe ish drejtor i seksionit shqip të “Zërit të Amerikës”.

Kryeredaktor i gazetës është Ruben Avxhiu.

“Illyria”, që në numrin e saj të parë deklaroi se do të ishte një zë i përbashkët i shqiptarëve të Amerikës dhe sot vazhdon të ecë në të njëjtën rrugë. Ajo i përcolli demonstrimet për lirinë e Kosovës nëpër sheshet e New York-ut, Washington-it, Ohio-s e po kështu i përcolli dhe priti bijtë dhe bijat e kombit në radhët e Batalionit ”Atlantiku” që shkuan të çlironin Kosovën. Nuk ka ngjarje në komunitet, ku të mos ketë qenë e pranishme “Illyria”. Ajo është kthyer kësisoj në një ditar të shqiptarëve të Amerikës.

Misioni i “Illyria”-s, e cila sot botohet me 40 faqe, mbetet ai i ditëve të para të krijimit të saj këtu e 17 vjet të shkuara, t’i mirinformojë shqiptarët dhe të jetë një ditar i hapur për shqiptarët e Amerikës dhe më gjerë, pra të shkruajë jetën e shqiptarëve duke pasqyruar aktivitetet e tyre në Amerikë dhe duke shërbyer si një urë lidhjeje me trojet amtare, me vendlindjet e shqiptarëve që kanë emigruar këtu. Në fokus të gazetës mbeten gjithmonë ngjarjet kryesore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e trojet e tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan.

“Illyria”, bashkëpunon me të gjitha organizatat shoqërore dhe institucionet fetare shqiptaro-amerikane dhe ka korrespondentë e bashkëpunëtorë në shumë shtete të Amerikës, në Ballkan dhe në shtetet europiane ku kanë emigruar shqiptarët.

Në vëmendje të posaçme të “Illyria”-s ka qenë dhe mbetet fokusimi në ngjarjet e komunitetit shqiptar, evokimi i historisë, respektimi i figurave të historisë tonë kombëtare, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Nënë Terezës, por dhe personaliteteve të tjera historike që kanë lënë gjurmë për kombin.

Në fokusin e “Illyria”-s janë edhe emrat e shqiptarëve të famshëm si: shkrimtari Ismail Kadare, nobelisti Ferid Murad, aktorët e Hollywood-it, James Belushi apo Eliza Dushku, yjet e televizionit amerikan Regis Philbin, Masiela Lusha apo Tony Dovolani, yjet e skenës botërore të arteve klasike që nga sopranoja Inva Mula, te balerini e koreografi Angjelin Preljocaj, apo violinisti Tedi Papavrami, regjisori i shquar shqiptaro - amerikan, Stan Dragoti e shumë e shumë të tjerë që “Illyria” i sjell përherë mes faqeve të saj.

Më 28 nëntor 2007, gazeta u botua me 240 faqe, një rekord në shtypin shqiptar të të gjitha kohërave. Për nder të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, “Illyria” botoi një numër special me 160 faqe.