Hapi i fundit i një shekulli të gjatë

 

Nga Ruben Avxhiu
(Editoriali nga numri i 28 Nëntorit)

Duke filluar nga nesër në mëngjez, nis edhe viti i fundit i shekullit të parë të pavarësisë së Shqipërisë. Ndonëse shumica e trojeve shqiptare mbetën jashtë shtetit që u krijua nga ajo shpallje e pavarësisë e 28 Nëntorit, ata që e ngritën flamurin në Vlorë mendonin dhe besonin se flisnin në emër të të gjithë shqiptarëve.

Një shekull nuk është shumë në historinë e botës, e sidomos për një komb si ky i yni, që i ka rrënjët të shtrira thellë në kohë, përtej caqeve të kujtesës së shkruar njerëzore. Por, një shekull është mjaft i gjatë në historinë e një rajoni si Ballkani, ku ndryshimet mund të ndodhin sakaq nga brezi në brez, ku njerëzit që kanë lindur në të njëjtin shtet që përfshinte edhe shkretëtirat arabe, brenda pak dekadave u gjendën në një shtet tjetër që përfshinte edhe Romën e Vatikanin e pastaj në një që shtrihej në gjysmën e Perëndimit deri në Paris.

Shqiptarët kaluan nga një shtet pushtues feudal, në një katraurë pushtimesh e ripushtimesh copëzuese, në një provë të vështirë pluraliste republikane, në një mbretëri stabilizuese e shtetformuese, në dy pushtime të reja të një tjetre luftë botërore, në një regjim të tmerrshëm diktatorial komunist, e së fundi në një përpjekje historike për demokraci, e integrim ekonomik, ligjor e deri diku politik me një bllok shtetesh që përfshin të gjithë kontinentin, nga Perëndimi në Lindje. Për ata jetëgjatë që kanë lindur në vitin 1912 dhe po mbushin 100 vjet këtë vit, kjo më sipër është një sekuencë marramendëse ngjarjesh.

Për ata që jetuan në to duke u bërë palë, me apo pa dëshirë, vuajtjet kanë qenë shpesh të patregueshme. Sigurisht çdo histori me njerëz që vuajnë ka edhe personazhet që i kanë shkaktuar këto vuajtje. Shqipëtarëve nuk u kanë munguar në këtë shekull pa një vit, as trimat e as frikacakët, as largpamësit e as të verbërit, as sakrifikuesit e as të shiturit. Kjo dramë me akte të njëpasnjëshme tragjike, me personazhe ngjyrëshumë do ia çonte gojën (edhe penën) lëng çdo shkrimtari. Si ata edhe historianët gjithashtu zhyten në ngjarjet shqiptare si fëmija në dyqanin me lodra. Kë të marrësh e kë të lësh. Sikur bota të ishte një mori kanalesh televizive nga një për çdo komb, teleshikuesi i Gjithësisë do e mbante mesiguri te “stacioni i Shqipërisë”. Do kishte dialogje domethënëse, “ja më zuri gjumi duke parë Danimarkën, po ktheje te Shqipëria se ka filluar seri e re”.

Një vend kaq i vogël, e kaq i larmishëm, me ngjarje që rrokullisen, me heronj që shpallen kriminelë e pastaj bëhen përsëri heronj, me vrasës e vjedhës që falen e harrohen, për njerëz të mirë e të pafajshëm që vriten e nuk rikthehen, përveçse si monumente apo emra shkollash e rrugësh. Një vend kaq i vogël ku njerëzit ndryshojnë kaq shumë nga bregu në breg e nga mali në mal. Ndryshojnë të folurat, veshjet karakteristike, këngët, preferencat historike. Ndryshojnë po edhe nuk ndryshojnë fare. Pas vezullimit të dallimeve të shumëllojshme kulturore e fetare, fshihet po ai karakter, po ato tipare, një komb i vetëm megjithë mozaikun çoroditës.

Një shekull pa një vit nuk është pak për të bërë diçka me një shtet dhe prej kohësh ka ardhur momenti që shqiptarët të ndalojnë e të kujtohen se si e shpenzuan këtë njësi të gjatë të historisë shtetërore: 45 vjet komunizëm, 20 vjet parademokraci pluraliste, 15 monarki,etj. Çfarë ndërtuan, çfarë prishën, çfarë mësuan e çfarë harruan, nga u nisën e ku përfunduan, sa herë u kthyen në rrugë e sa herë u hutuan nga mirazhet e kohës. A janë 99 vite të fituara apo 99 vite të humbura?

Llogaria do i dalë e ndryshme shumëkujt. Në cilën anë të barrikadës ishe në 24-rën? Po 28-n? Po në 44-rën? Po në 91-shin? Po në 97-ën? Po në… Përvojat personale ndryshojnë, nganjëherë shumë. Po harro historinë se edhe sot e kësaj dite, nuk biem dot dakord për çfarë ndodhi pak javë më parë, apo pak muaj më parë.

Po ndoshta pjesa më interesante është se pavarësisht nga të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët kanë ecur përpara. Një komb i dënuar jo rrallë nga fati duket se nuk është braktisur prej tij. Megjithë përpjekjet tona të pabesueshme për t’i bërë keq vetes, vazhdojmë ecim në drejtimin e duhur. Bëjmë çmos për t’u vonuar, ndalojmë kot, zihemi mes vetes, përleshemi e vritemi. E gjejme një çomangë në rrugë e i biem kokës, e përsëri nuk ndalemi.

Udhëtar tekanjoz është shqiptari në udhën e historisë, po ndoshta nuk është edhe aq vullneti ynë, po dallga që na merr e na hedh e ne bëjmë sikur vendosëm vetë drejtimin.

Rrugë të mbarë o shqiptar në shtigjet e historisë! Pas 99 hapash, disa të shtrembëra e disa të drejta, një këmbë këndej e një andej kufirit, herë me çapitje e herë me revan, herë lehtas e herë rëndë, mendoje e hidhe pak më mirë këtë të 100-in. “Se ditët e mira paskëtaj vinë”. Shekulli i dytë thonë se është më i lehtë. Tungjat!